Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Livoç të Gjilanit, e cila tronditi opinionin publik. Përmes një deklarate, ajo e ka vlerësuar dhunën ndaj grave si një përgjegjësi të shoqërisë dhe institucioneve, duke kundërshtuar trajtimin e këtyre rasteve si çështje thjesht private apo individuale.
Sipas të dhënave, i dyshuari V.R. ka vrarë bashkëshorten e tij, N.B., dhe vëllain e saj, E.R., ndërsa ka plagosur edhe axhën e viktimave. Pas kryerjes së veprimeve kriminale, i dyshuari është dorëzuar në organet e Policisë.
Jahjaga ka theksuar nevojën për të sfiduar mentalitetet që tolerojnë apo minimizojnë dhunën ndaj grave. Ajo u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe vuri në dukje se asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën se mund të vritet nga personat pranë të cilëve duhet të ndihet e mbrojtur. Ish-presidentja nënvizoi se një shoqëri nuk mund të konsiderohet e barabartë përderisa gratë kërcënohen në të drejtën e tyre themelore për jetën.