Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas vrasjes së dyfishtë që tronditi qytetin e Gjilanit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Livoç i Ulët, ku dyshohet se bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij dhe vëllanë e saj.
Sipas informacioneve, konflikti dyshohet se ndodhi në momentin kur vëllai i viktimës dhe një djalë axhe kishin shkuar ta merrnin gruan nga shtëpia, pas episodeve të vazhdueshme të dhunës së ushtruar ndaj saj. Gjatë këtij ndërveprimi, i dyshuari ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të vdekur dy personat dhe duke plagosur djalin e axhës.
Në reagimin e saj, Vlora Çitaku e ka cilësuar rastin si tronditës dhe të dhimbshëm. Ajo ka vënë në pah se, ndonëse shteti ka shënuar përparim në përfaqësimin institucional të grave, siç është rasti i zgjedhjes së tri presidenteve, kjo nuk reflekton realitetin e sigurisë në jetën e përditshme.
Çitaku theksoi se fuqizimi i grave nuk duhet të kufizohet vetëm në pozita të larta në Prishtinë, por duhet të sigurojë liri dhe mbrojtje nga dhuna në çdo familje e qytet. "Asnjë rrethanë nuk e justifikon vrasjen. Asnjë grua nuk duhet të paguajë me jetën e saj për të drejtën për të qenë e lirë", u shpreh ajo. Deputetja bëri thirrje që shoqëria të mos kërkojë motive për shfajësimin e dhunës dhe të mos e fajësojë viktimën, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.