Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me zërat për një koalicion të mundshëm mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka bërë të ditur se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim nga organet partiake mbi këtë temë.
Ymeri ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me Grupin Parlamentar të LDK-së në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm qeverisës. Ajo i ka cilësuar pretendimet për një marrëveshje si “propagandë mediale”, duke shtuar se procesi i vendimmarrjes për koalicione kërkon hallka të gjata komunikimi dhe pajtimi brenda strukturave të partisë.
Sipas Ymerit, vendimi për një koalicion potencial nuk mund të merret pa përfshirjen e deputetëve, duke rikujtuar se një pjesë e tyre janë votuar nga elektorati me mandatin e qartë për të mos hyrë në koalicion me subjekte të tjera politike. Ajo theksoi se synimi i këtij reagimi ishte njoftimi i strukturave të partisë, duke nënvizuar se deputetët duhet të gëzojnë lirinë e plotë të vendimmarrjes.
Deputetja ka sqaruar gjithashtu se nuk është delegate dhe nuk ka kërkuar nënshkrime apo vota, por thjesht ka dashur të qartësojë situatën brenda partisë përballë ofertave të mundshme për pozita qeverisëse. “Edhe nëse keni pranuar oferta rreth qeverisë, rreth një pakoje gjoja të kryer koalicioni që mund t’ju sjellë pozita e pushtet, ta dimë që ka ende hallka komunikimi e pajtimi para çdo vendimi”, ka shkruar Ymeri.