Jasir Asani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka shprehur optimizëm për fitoren e Shqipërisë ndaj Polonisë në gjysmëfinalen e playoff-it për Kupën e Botës 2026, që do të luhet më 26 mars në Varshavë.
Asani ka shënuar 6 gola me fanellën kuqezi, njëri prej tyre ndaj Polonisë në fitoren 2:0 të realizuar në Tiranë më 10 shtator 2023. Ai shpreson të rikrijojë suksesin në ndeshjen e ardhshme.
Në një deklaratë për Federatën Shqiptare të Futbollit, Asani tha: "Emocione ka çdo ndeshje dhe kur shënon gol ndaj një përfaqësuese siç është Polonia nuk e harron asnjëherë. Kam përjetuar emocionet më të mëdha kur shënova golin. Uroj të shënoj sërish gol ndaj Polonisë".
Ai vlerësoi forcën e skuadrës polake, por theksoi shanset e Shqipërisë: "Polonia ka lojtarë të mirë, por edhe ne kemi lojtarë që luajnë në kampionate të mira. Uroj të mos kemi lëndime dhe të jemi gati 100 %. Do të jetë ndeshje e vështirë, por duhet të shkojmë për të fituar. Me ndihmën e të gjithëve mund t’ia dalim. Në shtëpi e kemi mposhtur dhe duhet të jemi të fokusuar maksimalisht në ndeshje".
Aktualisht, Asani luan te klubi iranian Esteghlal. Tri ditë pas fillimit të luftës në Lindjen e Mesme, ai u largua nga Irani dhe ndodhet tani në Shkup.