Jasir Asani, sulmuesi i Kombëtares Shqitare, u largua pak ditë më parë nga Irani, ku luante me klubin Esteghlal. Largimi erdhi për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme dhe pezullimit të kampionatit iranian.
Në një intervistë për emisionin "Në Shtëpinë e Futbollit", Asani deklaroi se do të udhëtojë drejt Tiranës për t'u stërvitur me Partizanin, me qëllim ruajtjen e formës fizike në pritje të grumbullimit të Kombëtares. "Gjatë këtyre ditëve jam stërvitur këtu në Maqedoninë e Veriut. Do të rikthehem në Tiranë dhe do të stërvitem me Partizanin. Atmosfera para Polonisë është shumë pozitive. Ne mezi po presim. E dimë se stadiumi do të jetë plotë, ndërsa do na ndjekin të gjithë shqiptarët nga mbarë bota. Kemi shanse për t’ia dalë", tha ai.
Asani ka luajtur më parë me Partizanin, ku ka pasur shkëlqimin e tij në dy periudha të ndryshme. 30-vjeçari numëron 123 ndeshje me të kuqtë. Hera e fundit që u shfaq në fushë me Esteghlal ishte më 27 shkurt.
Ndeshja play-off e Botërorit kundër Polonisë parashikohet për 26 mars. Burimet nuk konfirmojnë ende ftesën e trajnerit Silvinjo për Asanin në grumbullim, pasi gjatë vitit të kaluar ai mori minuta vetëm në një ndeshje zyrtare kundër Anglisë.
Përditësime
Jasir Asani nuk lejohet të luajë për Partizani, por vetëm stërvitet, për shkak të kontratës me Esteghlal dhe vendimit të pritshëm të FIFA-s.
Lojtarët e huaj nga Irani nuk mund të regjistrohen te klube të tjera derisa FIFA të vendosë për pezullimin e kampionatit.
Nëse situata zgjatet, ata mund të marrin leje të përkohshme për të luajtur diku tjetër.
Situatë e ngjashme për Regi Lushkjan, i cili mund të transferohet te Egnatia.