Ekipet e emergjencave janë angazhuar në përballjen me flakët që kanë përfshirë pjesën jugore të Francës. Kryeministri Sebastien Lecornu, gjatë një vizite në Marsejë, bëri të ditur se situata mbetet e tensionuar për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve.
Sipas të dhënave zyrtare, zjarret e këtij sezoni kanë shpërthyer dy deri në tre javë përpara periudhës së zakonshme. Që nga fillimi i sezonit, janë regjistruar gjithsej 7.000 vatra, të cilat kanë shkrumbuar rreth 8.700 hektarë tokë. Vetëm në dy ditët e fundit, autoritetet kanë dislokuar 2.000 zjarrfikës shtesë për të ndihmuar në frenimin e situatës, pas shkatërrimit të 1.200 hektarëve vetëm një ditë më parë.
Ekspertët vlerësojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë në shtimin e intensitetit dhe shpeshtësisë së valëve të të nxehtit. Megjithëse temperaturat janë ulur lehtë ditët e fundit, vendi përjetoi një muaj qershor mjaft të vështirë, i cili shkaktoi 1.000 vdekje të lidhura me vapën ekstreme. Faktorët që po favorizojnë përhapjen e flakëve janë temperaturat e larta, thatësia, lagështia e ulët dhe erërat e fuqishme që përfshijnë rajonin.