Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka akuzuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për financimin e librit të Shkëlzen Gashit me 15 mijë euro.
Sipas Kadrijajt, njerëzit në Kosovë mbartin një barrë historike dhe kombëtare, prandaj duhet të sillen konform saj. Ajo pretendon se Gërvalla ka fyer çlirimtarët, komandantët dhe UÇK-në duke keqpërdorur emrin e babait të saj, Jusuf Gërvalla.
Kadrijaj rrëfen se kohët e fundit ka takuar një ushtar 16-vjeçar të UÇK-së nga Gjakova, të cilit i kanë vrarë dy vëllezërit. Ky ushtar e ka pyetur pse nuk i është përgjigjur Gërvallës për sjelljet ndaj Ramush Haradinajt. Përgjigjja e Kadrijajt ka qenë se e respektojnë Gërvallën për shkak të babait të saj, por: "Nëse ti ke babën hero, unë jam heroinë".
Ajo shton se në kohën kur Donika Gërvalla ka bërë dosje kundër UÇK-së, vetë ajo ka bartur kallashin dhe ka mjekuar ushtarë të UÇK-së. Kadrijaj i drejtoi një mesazh Gërvallës: "Mjaft është mjaft me këto fyerje".
Në fund, ajo përmendi një fjalë të urtë popullore: "Mos ta faltë Zoti evladin e keq, se ta fëlliqë emrin e familjes".