Shaip Kamberi, deputet dhe përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zhvilloi një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara. Atje u prit nga Daniel J. Lawton, Zëvendës-Ndihmës Sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe nga Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë.
Gjatë takimit, Kamberi theksoi sfidat kryesore të komunitetit shqiptar në Luginë:
- diskriminimin sistemik;
- pasivizimin e adresave;
- përjashtimin nga institucionet;
- politikat e Beogradit që synojnë zhdukjen administrative të shqiptarëve.
“Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë. Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington”, deklaroi Kamberi. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve të Luginës.
Deputeti falënderoi përkrahësit në SHBA, duke veçuar Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqi, të cilët kanë shërbyer si urë lidhëse drejt institucioneve amerikane.
Kamberi theksoi se çështja e Luginës së Preshevës nuk është vetëm temë lokale, por lidhet me të drejtat e njeriut dhe stabilitetin rajonal në Ballkan.