Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka cilësuar si të papërballueshëm dhe të paekuilibruar propozimin aktual për buxhetin shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga Holanda, duke nxjerrë në pah ndasitë mes 27 vendeve anëtare në lidhje me planin financiar të paraqitur nga Komisioni Evropian.
Propozimi i buxhetit, i cili kap vlerën e mbi 1.6 trilionë eurove, përqendrohet në tri shtylla kryesore:
• Bujqësia dhe zhvillimi rajonal
• Forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike
• Politika e jashtme dhe e sigurisë
Gjermania, si kontribuesja më e madhe neto në buxhetin e BE-së, ka kërkuar përshpejtimin e negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare brenda këtij viti. Ndonëse një numër vendesh anëtare ndajnë të njëjtin synim për përfundimin e bisedimeve, vëzhguesit e vlerësojnë këtë afat si mjaft optimist për shkak të kompleksitetit të negociatave.
Në këto rrethana, Irlanda, e cila merr presidencën e Këshillit të BE-së, është ngarkuar me detyrën e paraqitjes së një propozimi të ri, i cili synon të shërbejë si version kompromisi për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi financimin e unionit për periudhën e ardhshme shtatëvjeçare.