Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe të atyre të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 06:00 e datës 28 janar 2026 deri në orën 06:00 të datës 29 janar 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, kushtet hidrometeorologjike detare parashikohen të përkeqësohen për shkak të erës nga drejtimi jug-juglindje me forcë 6-7 Bft, shpejtësi 15-25 m/s dhe lartësi dallgësh 1.5-2.5 metra.
Ndalimi zbatohet vetëm për mjetet e vogla në Gjirin e Vlorës dhe det të hapur. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të lundrojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Kapiteneria kërkon bashkëpunimin e subjekteve dhe institucioneve detare për të marrë masa sigurie:
- Sigurimi i mjeteve në port;
- Rritja e gatishmërisë së ekuipazheve;
- Parandalimi i situatave të papritura nga kushtet atmosferike.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike pritet pas orës 06:00 të 29 janarit 2026 për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit.