Një kapiten anijeje turk është proceduar penalisht pasi dyshohet se ka larguar anijen nga Porto Romano në Durrës pa njoftuar autoritetet portuale dhe pa kryer procedurat ligjore për nisjen.
Bëhet fjalë për shtetasin turk A. K., 39 vjeç, kapiten i anijes Stefany me flamur Panamaja. Anija kishte shkarkuar 3300 tonë superfosfat rifuxhio në Porto Romano, por gjatë verifikimeve u konstatua një mungesë prej 70 tonësh në ngarkesë.
Sipas Kapitenerisë së Durrësit dhe Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit (DVKM) Durrës, kapiteni mbylli hambarët dhe u largua pa respektuar procedurat portuale-kufitare, duke ngritur dyshime për shkelje të rregullave detare.
Specialistët e DVKM Durrës referuan materialet procedurale në Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.