Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e tij të thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor që zhvillohet në Hagë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas njoftimit të KASH-it, ky proces, në formën dhe narrativën që po merr, rrezikon seriozisht të deformojë realitetin historik dhe juridik të Luftës së Kosovës. KASH vlerëson se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte një reagim i ligjshëm dhe i domosdoshëm ndaj fushatës sistematike shtetërore të dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.
Këshilli thekson se çdo përpjekje për të barazuar agresorin shtetëror me viktimën që luftoi për mbijetesë dhe liri përbën fyerje jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për ndërhyrjen ndërkombëtare të Perëndimit, e cila u ndërmor për të ndalur krimet e luftës dhe gjenocidin.
KASH paralajmëron se një proces i tillë mund të relativizojë ose të amnistojë përgjegjësinë historike dhe politike të udhëheqjes shtetërore serbe për krimet e kryera në Kosovë. Kjo, sipas tyre, do të ishte një padrejtësi e rëndë historike dhe një precedent i rrezikshëm për të drejtën ndërkombëtare.
Këshilli riafirmon mbështetjen për drejtësinë ndërkombëtare të paanshme, por shton se drejtësia nuk mund të shkëputet nga e vërteta historike dhe konteksti i plotë i ngjarjeve. Çlirimi i Kosovës ishte akt legjitim i një populli të shtypur, ndërsa UÇK-ja mbetet forcë çlirimtare, jo objekt i revizionizmit politik apo juridik.