KEDS ka reaguar përmes një komunikate për media ndaj akuzave të avancuara sot nga një zyrtar i LDK-së. Ky pretendon se njëhsorët matës të energjisë elektrike nuk llogarisin saktë shpenzimet që bëjnë qytetarët.
Sipas KEDS-it, matësit e energjisë kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin e vendosjes së tyre dhe posedojnë siguri maksimale. "Sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)", thuhet në reagim.
Sinkronizimi i orës në njëhsorë kryhet me precizion të lartë, duke siguruar që të gjithë konsumatorët kalojnë në tarifën e ulët në të njëjtën kohë, në përputhje me rregullat dhe standardet në fuqi. Në raste të izoluara mund të ndodhin devijime të vogla për arsye teknike, por kohëzgjatja e përfitimit nga tarifa e ulët dhe e lartë mbetet e saktë.
KEDS reagon menjëherë ndaj çdo ankese ose vërejtjeje nga konsumatorët. Ekipet teknike verifikojnë situatën në terren dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e shpejtë dhe profesionale të problemeve. Kompania kërkon nga partitë politike dhe palët e tjera të përmbahen nga deklaratat e pa verifikuara që nuk përkojnë me realitetin.