Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A5 e Termocentralit Kosova A u rikthye në operim gjatë orëve të mëngjesit të 8 shkurtit 2026.
Rikthimi ndodhi pas sanimit të suksesshëm të rrjedhjeve të paraqitura ditë më parë, duke përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe të sigurisë për operim të rregullt. Kjo njësi kishte qenë jashtë funksionit që nga e hëna e javës së kaluar, pra për gati një javë.
Aktualisht, Termocentrali Kosova A operon me tri njësi gjeneruese aktive, duke kontribuar në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike.
KEK shprehu falënderim të veçantë për stafin teknik dhe punonjësit e termocentralit për angazhimin profesional, punën e palodhshme dhe reagimin e shpejtë në adresimin e problemit. Korporata theksoi përkushtimin ndaj operimit të sigurt, stabil dhe të përgjegjshëm, në shërbim të interesit publik dhe sigurisë energjetike të vendit.