Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar më 8 shkurt 2026 se në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, rreth orës 10:00.
Pas vlerësimeve teknike, për shkak të harxhimeve të larta të ujit dhe rrezikut për dëmtime më të mëdha, KEK vendosi shkyçjen e njësisë B1 nga operimi para orës 18:00, si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të pajisjeve.
Furnizimi me energji
Pavarësisht ndaljes, furnizimi me energji elektrike vazhdon në mënyrë të qëndrueshme me katër njësi gjeneruese, duke realizuar prodhim ditor prej rreth 13.560 MWh, që mbulon 87,6 % të kërkesës totale për konsum. Sipas parashikimeve të KESCO-së, kërkesa për ditën e nesërme është 15.471 MWh.
Pjesa e mbetur sigurohet përmes:
- blerjeve në bursën ALPEX;
- shkëmbimit të energjisë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH Sh.A.), në bazë të marrëveshjes ekzistuese.
KEK do ta njoftojë opinionin me kohë për rikthimin e njësisë B1 pas përfundimit të kontrollave teknike.
Rikthimi i njësisë A5
Gjatë të njëjtës dite, njësi A5 e Termocentralit Kosova A u rikthye në operim pas gati një jave ndaljeje për rrjedhje në sistemin gypor.