Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se që nga 19 dhjetori 2025 ka operuar në regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur tre blloqe të Termocentralit Kosova A në punë paralelisht për 31 ditë rresht. Ky operim përfshin periudha në dhjetor, janar dhe shkurt, për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike.
Periudhat e operimit me tre blloqe të Kosova A
• Dhjetor 2025: 9 ditë.
• Janar 2026: 1–7 janar (7 ditë), 15–16 janar (2 ditë), 21–31 janar (11 ditë), total 20 ditë.
• 1–2 shkurt 2026: 2 ditë.
Ky regjim përfaqëson ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend. KEK thekson se standardi operativ që nga paslufta ka qenë me katër njësi gjeneruese (dy nga Kosova A dhe dy nga Kosova B), me njërën si rezervë e nxehtë për siguri sistemi dhe reagim emergjent.
Operimi me pesë njësi gjeneruese
Që nga 19 dhjetori, KEK ka arritur operim me pesë njësi gjeneruese njëkohësisht për rreth 30 ditë (tre nga Kosova A dhe dy nga Kosova B). Kjo ka kërkuar angazhim maksimal teknik, mirëmbajtje të përshpejtuar dhe mobilizim të stafit.
Ndalja e njësise A5
Njësia A5 u ndal nga operimi mbrëmjen e 2 shkurtit 2026, rreth orës 20:25, për shkak të rrjedhjeve të ujit të identifikuar në sistemin gypor, në kuotën 10–15 metra. Ndalja u bë për të parandaluar defekte potencialë më të mëdhenj dhe për sanime teknike të nevojshme.
Aktualisht, katër njësitë e tjera janë në funksion. KEK deklaron se A5 pritet të rikthehet brenda disa ditësh, duke iu bashkuar atyre për të vazhduar operimin me pesë njësi aktive dhe për të garantuar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike.