Kënga shumë e njohur në hapësirën shqiptare, “Mora fjalë”, nuk është më e disponueshme në versionin origjinal në platformat online, si YouTube, Facebook, Instagram dhe TikTok. Largimi i këngës është bërë me kërkesë të autorit të tekstit dhe muzikës, Naim Gjoshi, i cili ka angazhuar zyrën ligjore NewWay Consulting për mbrojtjen e të drejtave të tij autoriale.
Në një deklaratë zyrtare, NewWay Consulting sqaroi se çdo shpërndarje e këngës pa autorizim do të trajtohet si përdorim i paligjshëm. Sipas zyrës ligjore, ky veprim synon mbrojtjen e reputacionit dhe respektimin e pronësisë intelektuale të Naim Gjoshit. Ata kanë njoftuar se personat ose subjektet që dëshirojnë të përdorin veprën në të ardhmen, duhet të pajisen me leje përkatëse dhe të adresojnë përdorimin e deritanishëm pranë zyrës ligjore.
Kënga, e cila i është kushtuar figurës së Adem Jasharit, njihet gjerësisht për interpretimin nga këngëtarja Shkurte Fejza. Para largimit, disa publikime të këngës në YouTube kishin grumbulluar shikime të konsiderueshme, ku njëra prej tyre regjistronte mbi 32 milionë shikime, ndërsa një tjetër mbi 14 milionë. Autori Naim Gjoshi ka pasur prej kohësh pretendime mbi përfitimet nga kjo këngë, ndonëse publikisht ka vlerësuar interpretimin e Shkurte Fejzës.
Ndërkohë, vijojnë përpjekjet për të kontaktuar si këngëtaren Shkurte Fejza, ashtu edhe këngëtarin Qazim Beka, i cili e ka interpretuar ndër të parët këngën me titullin origjinal “Çohu Adem”. Deri më tani, ndonëse platformat kryesore kanë hequr versionin origjinal, në internet mbeten të pranishme video të ndryshme nga performanca në studio televizive apo koncerte.
Përditësime
Zyra ligjore NewWay Consulting sqaroi se ndalimi për shpërndarjen e këngës Mora Fjalë përfshin të gjitha platformat sociale si Facebook, Instagram dhe TikTok. YouTube mbetet i vetmi përjashtim nga ky kufizim. Përfaqësuesit ligjorë të autorit Naim Gjoshi theksuan se veprimi nuk synon denigrimin e performuesve, por mbrojtjen e reputacionit dhe të drejtave të autorit mbi veprën muzikore.
Autori Naim Gjoshi zgjeroi kufizimet ligjore për mbrojtjen e të drejtave të autorit mbi këngën Mora Fjalë. Zyra ligjore sqaroi se ndalimi për përdorim të paautorizuar përfshin tashmë edhe platformën YouTube, duke korrigjuar informacionin e mëparshëm. Naim Gjoshi konfirmoi zyrtarisht se çdo shpërndarje në YouTube, Facebook, Instagram dhe TikTok konsiderohet shkelje ligjore.
Këngëtari Qazim Beka pretendon se ka porositur dhe paguar këngën me titull 'Çohu Adem' që në vitin 2001, duke akuzuar autorin Naim Gjoshi dhe këngëtaren Shkurte Fejza për mohimin e kontributit të tij si ideator. Në përgjigje të këtyre pretendimeve, zyra ligjore NewWay Consulting sqaroi se porosia e një vepre muzikore nuk i jep porositësit statusin e autorit ligjor mbi tekstin apo muzikën e saj.