Një vit pas liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, KESCO Premium ka hedhur një hap të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve të saj, duke prezantuar aplikacionin e dedikuar eKescoPremium. Ky vendim vjen si përgjigje ndaj kërkesave të identifikuara gjatë takimeve dhe komunikimit të vazhdueshëm me konsumatorët biznesorë që operojnë në tregun e hapur.
Sipas njoftimit të kompanisë, platforma është projektuar për të ofruar transparencë më të madhe dhe efikasitet në menaxhimin e energjisë. Përmes këtij aplikacioni, bizneset mund të kryejnë veprime të ndryshme, duke përfshirë:
• Kontrollin e bilancit aktual të llogarisë dhe kontratës aktive të furnizimit;
• Shikimin e historikut të faturave dhe bilanceve;
• Monitorimin e njehsorëve aktivë në të gjitha pikat e biznesit;
• Monitorimin e konsumit aktual të energjisë, përpara realizimit të faturimit.
Të dhënat në aplikacion ofrohen në mënyrë të detajuar, duke u lejuar konsumatorëve të shohin konsumin si për të gjithë biznesin, ashtu edhe për secilën pikë matëse veçmas. Kjo strategji synon t'u ofrojë klientëve qasje të lehtë në informacione nga çdo vend dhe në çdo kohë.
Rudina Heroi Puka, Zëvendëskryeshefe Ekzekutive e KESCO-s, theksoi se kompania synon të jetë një partner që investon vazhdimisht në përmirësimin e përvojës së konsumatorëve. "eKescoPremium është një tjetër hap në këtë drejtim, duke u ofruar konsumatorëve tanë qasje të shpejtë, të sigurt dhe të thjeshtë në informacionet që u nevojiten për menaxhimin e furnizimit me energji", deklaroi ajo.
Aplikacioni është i disponueshëm për shkarkim për përdoruesit e pajisjeve iOS dhe Android dhe është i dedikuar ekskluzivisht për konsumatorët e KESCO Premium.