Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën, më 19 mars 2026, vendimin për përcaktimin e kritereve dhe masës së kompensimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur emërohen ose komandohen në detyrë jashtë vendbanimit të tyre.
Vendimi, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe në mbështetje të ligjit nr. 9210, datë 23 mars 2004, "Për statusin e ushtarakut", shfuqizon vendimin nr. 435, datë 25 qershor 2004. Ai përcakton kompensimin për transport në rast se Ministria e Mbrojtjes nuk siguron transportin, strehimin apo kompensimin për qira banese.
Masa e kompensimit ndahet sipas fashave të distancës:
- Nga 5 km deri në 25 km: 4 400 lekë në muaj;
- Nga 26 km deri në 50 km: 8 800 lekë në muaj;
- Nga 51 km deri në 100 km: 13 200 lekë në muaj;
- Mbi 101 km: 20 000 lekë në muaj.
Përfitimi ndërpritet kur:
- ushtaraku emërohet në vendbanimin e tij;
- përfundon periudha e komandimit;
- sistemohet me banesë në bashkinë ose njësinë administrative ku ndodhet vendi i shërbimit.
Për të përfituar kompensimin, ushtaraku paraqet pranë strukturës ushtarake kërkesë me shkrim, fotokopje të kartës së identitetit dhe vërtetim nga organi publik përgjegjës për banesën në pronësi ose proces legalizimi. Struktura ushtarake vlerëson dokumentacionin brenda 5 ditëve pune, njofton për pasaktësitë dhe e përcjell njësisë shpenzuese. Dokumentacioni rinovohet çdo vit.
Ushtaraku që transferon familjen përfiton transport falas për familjen dhe materialet e shtëpisë. Efektet financiare mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.