Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për zgjatjen e kontratave të punës së studentëve të ekselencës të punësuar në administratën shtetërore. Ky vendim, i propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, përcakton një përjashtim për vitin 2026.
Vendimi synon të shmangë ndërprerjen e marrëdhënies së punës për studentët që u punësuan me kontrata të përkohshme njëvjeçare, bazuar në thirrjen publike të dhjetorit 2024. Mandati i tyre po përmbyllet në fillim të vitit 2026, çka rrezikonte të linte ata pa punë deri në hapjen e procedurave të reja.
Sipas vendimit, kontratat do të shtyhen automatikisht deri në përfundimin e procedurave të rregullta të punësimit, si konkursat për statusin e nëpunësit civil ose sipas Kodit të Punës. Studentët do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë dhe të marrin pagën derisa të finalizohet procesi i rekrutimit të përhershëm.
Departamenti i Administratës Publike (DAP) është ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi për të garantuar vijimësinë e punës në institucionet shtetërore. Masa prek qindra studentë të ekselencës.