Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, njoftoi sot hapjen e thirrjes për punësimin e studentëve ekselentë në administratën publike. Ky proces është pjesë e Programit të Ekselencës 2026, i cili synon të angazhojë të diplomuarit me rezultate të larta akademike në institucionet shtetërore.
Në total janë shpallur 210 pozicione të lira pune, të cilat janë të shpërndara në 91 institucione publike të ndryshme. Sipas ministres Pirdeni, kjo nismë ofron mundësi për të rinjtë që kërkojnë të kontribuojnë në administratën shtetërore përmes ideve dhe energjisë së tyre.
"210 pozicione pune në 91 institucione publike. Hapim sot aplikimet për programin e ekselencës 2026. Për të diplomuarit me rezultatet më të larta, ata që kanë shumë rrugë përpara, por që zgjedhin rrugën ku mund të lënë gjurmë. Nëse ke mesataren, ke energjinë, ke ide, sot ke dhe mundësinë", deklaroi ministrja Pirdeni.
Të interesuarit që dëshirojnë të aplikojnë për këto pozicione mund të njihen me kriteret përkatëse dhe procedurat e detajuara në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike (DAP). Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 1 tetor 2026.