Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka miratuar një vendim që u jep mundësi kryetarëve të gjykatave të vendosura në objektin e Pallatit të Drejtësisë të ndërmarrin masa për reduktimin ose pezullimin e punës. Ky vendim vjen si pasojë e temperaturave të larta të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e stafit gjyqësor dhe administrativ.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaçi, gjatë mbledhjes së këshillit, theksoi se gjendja brenda këtij objekti ka arritur nivele shqetësuese. Ai u dha kompetenca krerëve të institucioneve të vlerësojnë situatën dhe të vendosin për ndërprerjen ose reduktimin e punës deri në përmirësimin e kushteve klimatike.
Thaçi, duke iu referuar përvojës së tij që nga viti 2017, deklaroi se puna në kushtet aktuale është bërë e patolerueshme. "Nuk po flasim më për kushtet e punës, por për jetën e njerëzve. Është detyrim i yni të sigurojmë që stafi të mos rrezikojë shëndetin", u shpreh ai.
Vendimi përfshin drejtuesit e institucioneve të mëposhtme:
• Gjykata Supreme
• Gjykata e Apelit
• Gjykata Administrative
• Gjykata Komerciale
• Gjykata Themelore në Prishtinë