Sistemi i klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë vijon të shfaqë probleme teknike, duke vështirësuar punën e gjykatave dhe duke ndikuar në shtyrjen e seancave gjyqësore. Për shkak të temperaturave të larta, është raportuar për vështirësi në zhvillimin e proceseve, përfshirë ato në Departamentin për të Mitur dhe në Departamentin Special.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), sanimi i plotë i sistemit kërkon mjete të konsiderueshme financiare që aktualisht nuk janë në dispozicion. Deri më tani janë kryer vetëm ndërhyrje të pjesshme për përmirësimin e gjendjes.
Besim Spahiu, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, bëri të ditur se që prej datës 10 qershor u është drejtuar menaxhmentit të gjykatës, sekretariatit dhe KGjK-së për këtë çështje. Pas kërkesës së sindikatës për reduktim të përkohshëm të orarit të punës më 1 korrik, KGjK ka autorizuar zbatimin e masave lehtësuese. Spahiu ka theksuar se pret që këto masa të zbatohen në mënyrë të menjëhershme.
Avokati Arbër Jashari konfirmoi se kushtet e rënduara në salla po e bëjnë të pamundur zhvillimin e seancave. Ai theksoi rastin e një seance gjatë kësaj jave në Departamentin për të Mitur, e cila u shty pasi njëri nga pjesëmarrësit gati sa nuk u alivanos nga temperaturat e larta. Shtyrja e seancave që nuk vlerësohen si urgjente është bërë praktikë e shpeshtë në Departamentin Special gjatë kësaj periudhe.