Media italiane Il Gazzettino raporton se grupet kriminale shqiptare në rajonin e Venetos, përveç trafikut të kokainës dhe marijuanës, dyshohet se po shtrijnë ndikimin në ekonominë lokale përmes blerjes së bareve, restoranteve dhe pasurive të paluajtshme. Sipas raportimit, kapitalet e përfituara nga trafiku mund të jenë duke hyrë në ekonominë e ligjshme.
Sipas artikullit, rrjetet shqiptare menaxhojnë prej vitesh tregtinë me shumicë të kokainës dhe marijuanës, ndërsa shpërndarjen në rrugë ua besojnë kryesisht shtetasve tunizianë. Drejtuesit e këtyre rrjeteve shpesh qëndrojnë jashtë Italisë. Artikulli përmend edhe mafian nigeriane, e cila, sipas tij, kontrollon trafikun e heroinës në Mestre, Padova dhe Venecia, ndërsa drejtuesit e saj mbajnë kontaktet nga jashtë vendit.
Arrestimet dhe operacionet policore
Gjatë vitit 2026, Skuadra Fluturuese e Venecias, në bashkëpunim me Policinë Shqiptare dhe Interpolin, arrestoi në Tiranë një 45-vjeçar shqiptar, i kërkuar që prej vitit 2022. Ai dyshohej se drejtonte një rrjet të specializuar në importimin e kokainës për tregun e Venecias. Në Dubai u arrestua një 39-vjeçar shqiptar, i kërkuar prej shtatë vitesh dhe i dyshuar si drejtues i një organizate aktive në Mestre, Noale, Scorzè, Noventa di Piave dhe Jesolo.
Në Spinea, Guardia di Finanza arrestoi një 21-vjeçar shqiptar, të cilit iu gjetën dy pistoleta dhe rreth 370 gramë lëndë narkotike. Në zonën Frari, në qendrën historike të Venecias, policia zbuloi dhe çmontoi një ambient për paketimin e kokainës. U arrestua një shtetas shqiptar rreth 30 vjeç dhe u sekuestrua gati një kilogram kokainë.
Organizimi dhe shtrirja ekonomike
Duke iu referuar raporteve të Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) dhe Drejtorisë së Antimafias së Distriktit të Venecias (DDA), Il Gazzettino i përshkruan grupet shqiptare si ndër organizatat e huaja më të fuqishme në rajon. Sipas raportimit, ato nuk funksionojnë si një strukturë e vetme hierarkike, por si klane ose familje të zgjeruara, të lidhura përmes farefisnisë. Në terminologjinë e përmendur në artikull, këto struktura quhen “Fis”.
Artikulli përmend edhe një familje shqiptare në lagjen Carpenedo të Mestres, e cila dyshohet se kontrollonte tregtinë e drogës në zonën e parkut Bissuola dhe më pas e shtriu aktivitetin në qytet. Specialiteti i saj ishte marijuana e kultivuar në Shqipëri dhe kokaina.
Sipas Il Gazzettino-s, familje shqiptare po blejnë bare dhe restorante në qendrën historike të Venecias. Hetimet në Verona kanë evidentuar përdorimin e kompanive fiktive për blerjen e pronave dhe bizneseve. Burimet përmendin gjithashtu bashkëpunim të dyshuar me organizata mafioze italiane, veçanërisht me ‘Ndranghetën, në trafikun e narkotikëve dhe në mbështetjen logjistike.