Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, mori pjesë më 10 shkurt 2026 në ceremoninë e certifikimit të 36 punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të trajnuar në kuadër të Programit ICITAP të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë ceremonisë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe AMP-së.
Në fjalën e saj, ministrja vlerësoi bashkëpunimin mbi 25-vjeçar me SHBA përmes këtij programi, duke theksuar rolin e tij në rritjen e profesionalizmit, integritetit dhe transparencës së institucioneve ligjzbatuese shqiptare. Gjatë këtyre viteve, mbi 380 oficerë dhe agjentë janë trajnuar, çka ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale.
Albana Koçiu deklaroi: «Për qytetarin shqiptar është një lajm shumë i mirë që sot jemi sërish bashkë, jo vetëm për të vlerësuar arritjet, por për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi, me ambicien për të bërë edhe më shumë në vijim».
Ajo u ndal tek roli i AMP-së, duke theksuar se aplikimi i metodave të avancuara hetimore, lufta e sofistikuar kundër krimit të organizuar dhe rritja e integritetit personal e profesional të oficerëve janë kushte të panegociueshme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Sipas saj, progresi i arritur është i dukshëm dhe i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, por mbetet hapësirë për përmirësim, veçanërisht në transparencë dhe mekanizma të llogaridhënies.
Marrëveshja e bashkëpunimit u cilësua si hap i rëndësishëm drejt një arkitekture të re institucionale, ku parandalimi, trajnimi dhe mbikëqyrja funksionojnë si zinxhir i vetëm dhe i koordinuar. Ministrja përgëzoi punonjësit e certifikuar për suksesin e trajnimit dhe i ftoi të zbatojnë njohuritë në veprim konkret dhe politika efikase në shërbim të ligjit e qytetarëve.
Në përfundim, Koçiu falënderoi përfaqësuesit amerikanë të zbatimit të ligjit për mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar atë si garanci të reformave dhe forcimit të institucioneve në Shqipëri.