Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, deklaroi se vazhdon të jetë kandidate për postin e presidentes së Kosovës. Kjo u bë e ditur në një përgjigje për RTV21, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila u ka dhënë deputetëve 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ajo e la të hapur mundësinë për të hequr dorë nga kandidatura, nëse arrihet marrëveshje politike. “Deri tani jam, por jemi në pritje të opozitës se çfarë do të na propozojë. Krejt çka është në të mirë të Kosovës”, tha Kollçaku.
Zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, pra 80 vota në dy raundet e para. Nëse nuk arrihet ky kuorum, në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash, çka bën të nevojshëm bashkëpunimin ndërpartiak.