Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), po qëndron në vizitë zyrtare në shtetin e Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vizita filloi më 14 janar 2026 me ftesë të Adjutantit të Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowa-s (GKA), Gjeneral Major Stephen Osborn.
Gjatë takimit të parë, Jashari u prit nga Osborn, me të cilin diskutuan për Programin e Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), sfidat e sigurisë dhe aktivitetet e përbashkëta ndërmjet dy forcave të armatosura. Palët vlerësuan bashkëpunimin ekzistues si histori suksesi dhe theksuan mundësitë për thellimin e tij në fusha të interesit të përbashkët.
Në kuadër të vizitës, Jashari mori pjesë në adresimin vjetor të guvernatores së Iowa-s, Kim Reynolds, para Asamblesë së Përgjithshme të Iowa-s. Me këtë rast, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s u vlerësua lartë, duke u theksuar rëndësia e forcimit dhe zgjerimit të partneritetit në të ardhmen.
Vizita konfirmon marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe partneritetin e ngushtë ndërmjet forcave të tyre të armatosura, i cili kontribuon në rritjen e kapaciteteve dhe sigurisë rajonale.
Përditësime
Komandanti i FSK-së mori pjesë në një organizim të Konsullatës së Kosovës në Iowa dhe falënderoi zyrtarët për mbështetjen ndaj FSK-së.
Ai vizitoi Shtëpinë e Veteranëve të Ushtrisë së SHBA-së në Iowa, ku u njoh me aktivitetet dhe rolin e saj.
Shprehu mirënjohje të veçantë për veteranët amerikanë, sidomos ata që shërbyen në Kosovë.
Komandanti i FSK-së u dakordësua me Gjeneral Osborn për krijimin e grupeve punuese të përbashkëta për zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së me helikopterë Black Hawk në trajnim, operim, mirëmbajtje dhe infrastrukturë.
Gjatë vizitës në bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ai u njoh me helikopterët Black Hawk dhe procedurat e trajnimit, mirëmbajtjes dhe infrastrukturës.
Ai vlerësoi profesionalizmin dhe falënderoi për gatishmërinë e mbështetjes me këta helikopterë.