Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ku në fokus janë forcimi i bashkëpunimit ushtarak, modernizimi i FSK-së dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të saj.
Gjatë vizitës, Jashari dhe delegacioni i FSK-së morën pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë së mbrojtjes AUSA Annual Meeting & Exposition, të mbajtur në Uashington. Në aktivitet morën pjesë mbi 700 ekspozues dhe përfaqësues nga më shumë se 100 shtete. Panairi shërben si platformë për prezantimin e teknologjive ushtarake dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes. Pjesëmarrja e delegacionit synon të ndihmojë në modernizimin e FSK-së dhe në rritjen e kapaciteteve të saj operacionale.
Në Pentagon, Jashari u takua me Colby C. Jenkins, zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Luftës për Luftë Jokonvencionale. Sipas njoftimeve, në takim u diskutuan çështje të sigurisë, zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e operacioneve speciale dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. U riafirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së dhe zhvillimin profesional të saj, si dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në sigurinë ndërkombëtare.
Jashari u takua edhe me përfaqësues të Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga gjeneral brigade Charles H. Lampe. Palët shqyrtuan rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës dhe diskutuan prioritetet e planit të bashkëpunimit dypalësh për pesë vitet e ardhshme.
Vizita zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për thellimin e partneritetit të FSK-së me institucionet amerikane të mbrojtjes dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj.