Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shoqëruar nga ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, qëndroi në shtetin e Ajovës në SHBA për të diskutuar mbi të ardhmen e Aleancës. Në një diskutim të organizuar në Des Moines nga Chicago Council on Global Affairs, Rutte theksoi se NATO është një aleancë praktike dhe vlerësoi lidhjet historike mes SHBA-së dhe vendeve aleate.
Vizita përfshiu një takim në selinë e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Gardës Kombëtare të Ajovës në Camp Dodge. Gjatë këtij takimi me Gjeneralmajorin Stephen Osborn, Rutte vlerësoi rolin e ushtarëve të Ajovës në ruajtjen e paqes në Kosovë, përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it dhe ofrimit të trajnimeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Rutte e cilësoi Kosovën si një shtet partner të Ajovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.
Gjatë inspektimit të ambienteve të Gardës Kombëtare, Mark Rutte parakaloi pranë një hapësire të dedikuar me artefakte që pasqyrojnë historinë dhe kulturën shqiptare. Ndër elementet e ekspozuara ishte figura e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, krahas objekteve të tjera si një plis dhe gurë nga Trepça. Në njoftimin e tyre, Garda Kombëtare e Ajovës theksoi se ky partneritet, i cili po vazhdon prej më shumë se një dekade, ka ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe përkushtim ndaj sigurisë rajonale. Pas vizitës në Ajova, Mark Rutte u nis drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Përditësime
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shënoi një precedent diplomatik duke u bërë zyrtari i parë në këtë post që viziton shtabin e Gardës Kombëtare të Ajovës. Në këtë vizitë historike, Rutte u shoqërua nga ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker. Ky angazhim rikonfirmon rëndësinë strategjike të bashkëpunimit midis Ajovës dhe Kosovës në kuadër të sigurisë euroatlantike.