Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me publikimin e pamjeve filmike, ku shfaqet një vajzë 12-vjeçare duke u dhunuar nga një 18-vjeçare në Mitrovicë. Ky rast, sipas koalicionit, nuk duhet të trajtohet si një incident i izoluar, por si një dukuri që kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
Sipas KOMF, përveç aktit të dhunës, shqetësues është edhe fakti që pamjet janë regjistruar dhe bërë publike, çka ndikon negativisht në shëndetin mendor të viktimës, duke rritur rrezikun e stigmatizimit dhe ritraumatizimit. Në reagimin e tij, koalicioni u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të aktivizojnë mekanizmat e mbrojtjes në nivel lokal, përfshirë Qendrat për Punë Sociale dhe shërbimet psiko-sociale, për të garantuar mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimës.
Institucionet e rendit dhe të drejtësisë janë thirrur të ndërmarrin masa të shpejta ndaj personave të përfshirë, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe interesin më të mirë të fëmijës. KOMF ka vënë theksin edhe te mangësitë e vazhdueshme të sistemit në parandalimin dhe identifikimin e hershëm të dhunës. Sipas kësaj organizate, lufta kundër kësaj dukurie kërkon një qasje afatgjatë që përfshin:
• Edukimin e vazhdueshëm në shkolla.
• Fuqizimin e prindërve për rritjen dhe disiplinimin e fëmijëve pa përdorur dhunë.
• Ofrimin e mbështetjes për shëndetin mendor të të rinjve.
• Ndërhyrjen e hershme ndaj sjelljeve të rrezikshme për të ndërprerë ciklin e dhunës ndër breza.
Përditësime
Policia e Kosovës ka arrestuar 18-vjeçaren e dyshuar për ushtrimin e dhunës ndaj të miturës në Mitrovicë. Autoritetet e kanë dërguar të dyshuarën në ndalim prej 48 orësh, ndërsa vepra është kualifikuar si 'Lëndim i lehtë trupor'. Lidhur me rastin, Kaltrina Rexhepi Dragusha theksoi rolin kritik të rrjeteve sociale në nxitjen e dhunës dhe bëri thirrje për një rritje të përgjegjësisë prindërore në monitorimin e sjelljes së të rinjve në internet.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) u ka bërë thirrje mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të largojnë menjëherë pamjet e dhunës ndaj të miturës në Mitrovicë. Organizata kërkon mbrojtjen e privatësisë dhe dinjitetit të viktimës, duke paralajmëruar se shpërndarja e mëtejshme e këtyre materialeve po shkakton dëme të pariparueshme për fëmijën.