Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi diskutuan për raportimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe përfaqësuesve të SHSKUK-së, si dhe për zbatimin e programit qeveritar dhe gjendjen e shërbimeve shëndetësore.
Deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj, kundërshtoi vlerësimin se është herët për ta ftuar ministrin dhe përfaqësuesit e SHSKUK-së për raportim. Ajo tha se kjo duhej të ishte bërë më parë dhe kërkoi transparencë e llogaridhënie për fondet e ndara për sektorin.
Sipas Reshitajt, gjatë pesë vjetëve të fundit janë ndarë mbi 1.8 miliardë euro për shëndetësinë. Ajo kërkoi të sqarohet nëse këto investime kanë sjellë përmirësim të shërbimeve për pacientët.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, tha se kryeministri e kishte paraqitur programin qeveritar tri herë në Kuvend, por zbatimi i tij ishte penguar nga zgjedhjet e njëpasnjëshme. Sipas tij, institucionet tashmë janë funksionale dhe secila ministri e ka të qartë planin që duhet të zbatojë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, iu përgjigj Azemit duke thënë se diskutimi duhet të përqendrohet te vizioni i qeverisë dhe qartësia e objektivave për sektorin e shëndetësisë, jo te programet elektorale. Ajo kërkoi një program të qartë qeverisës, të shoqëruar me agjendë parlamentare, duke theksuar se premtimet e fushatave nuk ishin në fokus të diskutimit.
Kryetari i komisionit, Uran Ismaili, tha se raportimi i ministrit është i nevojshëm për të shqyrtuar punën e deritashme dhe planet për të ardhmen. Ai përmendi shqetësimet e qytetarëve për furnizimin me insulinë dhe tha se ministrit duhet t’i jepet mundësia të raportojë para komisionit e të japë llogari për veprimet e tij.
Ismaili theksoi se Arben Vitia nuk është i ri në këtë detyrë dhe duhet të sqarojë para deputetëve çfarë është bërë deri tani dhe cilat masa janë planifikuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.