Komisioni për Buxhet nuk e mbështeti më 21 tetor amendamentin e deputetes së Aleancës, Teuta Haxhiu, për ndarjen e 600 mijë eurove për ndërtimin e një kompleksi memorial në nderim të fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Amendamenti, i paraqitur gjatë shqyrtimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, mori katër vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime.
Haxhiu tha se, edhe pas 27 vjetësh nga përfundimi i luftës, nuk ka një vend të posaçëm ku të vendosen lule në kujtim të fëmijëve. Ajo e përshkroi kërkesën si të hershme dhe tha se për projektin kishte pasur kode buxhetore në qeveritë e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. Haxhiu përmendi gjithashtu përvojën e saj si nënë dhe gjyshe, duke folur për ndjeshmërinë ndaj kësaj çështjeje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, kundërshtoi amendamentin. Sipas tij, ndërtimi i memorialit është përgjegjësi e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Ai tha se rishikimi buxhetor pritej të hynte në fuqi në fillim të nëntorit, duke lënë më pak se dy muaj deri në fund të vitit. Murati argumentoi se në këtë afat do të duhej të zhvilloheshin procedurat e prokurimit, të shqyrtoheshin ankesat dhe të nënshkruhej kontrata para 31 dhjetorit.
Murati kërkoi që çështja të trajtohej institucionalisht dhe kritikoi paraqitjen e amendamentit si deklaratë politike. Në përgjigje, Haxhiu tha se kërkesa nuk ishte e re. Gjatë diskutimit, deputeti i PDK-së Mergim Lushtaku kritikoi Muratin për përmendjen e qeverisjeve të kaluara dhe tha se ministri duhet të përqendrohet te përgjegjësitë aktuale.
Komisioni nuk i mbështeti as amendamentet për katër milionë euro për ndërtimin e Qendrës së Kujdesit Paliativ dhe për një milion euro shtesë për pajisje, proteza e mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës. Amendamenti për qendrën paliative, i paraqitur nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, mori po ashtu katër vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime. Ajo tha se e kishte paraqitur kërkesën që nga viti 2019 dhe propozoi që fondet të siguroheshin nga kontingjenca e Ministrisë së Financave.