Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR) ka vendosur të heqë përdorimin e fusnotës në emrin e Kosovës në dokumentet dhe komunikimet e tij publike. Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) njoftoi të enjten, më 12 mars 2026, se u informua nga CoR-i për këtë vendim, të marrë në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
Ky vendim zbatohet vetëm për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve. Për shembull, në maj 2025, CoR-i kishte përdorur fusnotën në njoftimin në uebsajtin e tij për takime me politikanë lokalë dhe rajonalë nga Shqipëria, Kosova dhe Moldavia, me synim përshpejtimin e përgatitjeve për anëtarësim në BE.
I themeluar në 1994, Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR) është asambleja e përfaqësuesve lokalë dhe rajonalë të BE-së. Në uebsajtin e tij, CoR-i përshkruhet si zëri i rajoneve dhe qyteteve, që përfaqëson autoritetet lokale dhe rajonale dhe jep këshilla për ligje me ndikim mbi to.
Çfarë është fusnota?
Më 24 shkurt 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për përfaqësimin rajonal, të njohur si "marrëveshja e fusnotës". Sipas saj, fusnota shtohej emrit të Kosovës në konferenca dhe iniciativa rajonale e ndërkombëtare. Marrëveshja saktësonte: "Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës". Në vitet pasuese, emrit të Kosovës i bashkëngitej gjithnjë fusnota.