Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR) ka njoftuar Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) se në opinionin e tij mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë ka vendosur të ndërpresë përdorimin e emërtimit “Kosovë”* dhe të përdorë thjesht “Kosovë” në dokumentet dhe komunikimet publike.
Ky vendim harmonizon qëndrimin e CoR-së me atë të Parlamentit Evropian, i cili përdor emërtimin “Kosovë” pa asterisk në dokumentet zyrtare. Në të njëjtin opinion, CoR ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se ato kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët.
CoR vlerëson organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, ku pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale. Sipas opinionit, rikthimi i pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal e bën të panevojshme vazhdimin e masave, të cilat ishin vendosur fillimisht për shkak të tensioneve politike në veri të vendit. Për këtë arsye, Komisioni Evropian ftohet të heqë masat sa më parë.
AKK ka luajtur rol aktiv në promovimin e pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve të komunave në institucionet e BE-së. Përmes bashkëpunimit me CoR-në, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në:
- promovimin e rolit të komunave në integrimin evropian të Kosovës;
- informimin e partnerëve evropianë për ndikimin e masave të BE-së në nivel lokal;
- forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve evropiane.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka konfirmuar këtë zhvillim.
Përditësime
Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK-së, e quajti zhvillimin „një lajm shumë të mirë për Kosovën dhe komunat tona“. Ai shtoi se „është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin e vendimeve të tij në jetën e qytetarëve në nivel lokal“. Sipas tij, rekomandimi për përdorimin e emrit Kosovë pa asteriks është „një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional“.