Komuna e Junikut ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me një incident të ndodhur në bjeshkët e kësaj zone, ku një grup alpinistësh, teksa po lëviznin drejt majës së Gjeravicës, në afërsi të zonës së njohur si Liqeni i Zemrës, janë penguar dhe kërcënuar nga një person i pranishëm në atë zonë. Në njoftimin e saj zyrtar, Komuna konfirmoi se ngjarja ka ndodhur brenda territorit të saj administrativ, mirëpo theksoi se personi i përfshirë në këtë veprim nuk është banor i Junikut.
Autoritetet lokale kanë ftuar organet kompetente të rendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti. Përmes një deklarate për opinionin publik, Komuna bëri të ditur se përgjegjësia për çdo akt të kundërligjshëm është individuale dhe nuk duhet të ndërlidhet me komunitetin apo banorët e kësaj zonë.
Duke vlerësuar turizmin malor si një ndër shtyllat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vlerave natyrore të trevës, institucionet lokale nënvizuan se mikpritja dhe respekti ndaj vizitorëve mbeten pjesë e identitetit të Junikut. Në përfundim, Komuna u bëri thirrje alpinistëve dhe dashamirëve të natyrës që të vazhdojnë t'i vizitojnë bjeshkët e kësaj komune, duke siguruar se mbeten të përkushtuara për ofrimin e një ambienti të sigurt dhe të mirëpritur për të gjithë vizitorët, duke nënvizuar se Juniku ka qenë dhe mbetet derë e hapur për çdo dashamir të natyrës.
Përditësime
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, konfirmoi se autoritetet po trajtojnë rastin e kërcënimit të alpinistëve. Sipas deklaratës së Kryetarit Shehu, personi i përfshirë në incident është identifikuar si bari që operon në atë zonë. Për të shprehur mbështetjen e institucionit dhe për të garantuar sigurinë e vizitorëve, Kryetari Shehu ftoi zyrtarisht alpinistët e prekur të jenë mysafirë të tij dhe të Komunës së Junikut në një vizitë të radhës.