Komuna e Klinës ka njoftuar zyrtarisht banorët dhe subjektet afariste që operojnë në zonën Stupovi të qytetit se duhet të largohen nga hapësira e parcelës 516-5 ZK Klinë. Vendimi vjen si pjesë e planit të institucionit vendor për ndërtimin e një parkingu publik, i cili pritet të shërbejë për nevojat e banorëve dhe qytetarëve në përgjithësi.
Sipas njoftimit, personat fizikë dhe juridikë që kanë vendosur garazhe ose objekte të tjera montuese në këtë zonë, janë të detyruar t'i largojnë ato brenda një afati prej 30 ditësh nga data e publikimit të këtij njoftimi.
Komuna e Klinës ka theksuar se në rast të mosrespektimit të këtij afati, Inspektorati Komunal do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për lirimin e hapësirave publike, në përputhje me dispozitat ligjore, me qëllim realizimin e projektit të planifikuar. Institucioni ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për zbatimin e këtij vendimi, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal.