Punimet për parkimin nëntokësor në sheshin “Avni Rustemi” në Tiranë kanë hyrë në fazën përfundimtare. Sipas planit, objekti synohet të jetë funksional në mesin e dhjetorit 2026. Investimi i Bashkisë së Tiranës pritet të lehtësojë parkimin dhe qarkullimin e automjeteve në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Parkimi do të ketë 208 vende, nga të cilat 4 janë të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara. Bashkia ka dyfishuar prej disa javësh numrin e punonjësve në kantier, me synimin që projekti të përfundojë brenda afatit dhe të respektojë standardet e cilësisë dhe sigurisë.
Inxhinieri Orges Llubani, i cili ndjek nga afër realizimin e projektit, tha se karabinaja ka përfunduar dhe ka nisur instalimi i ashensorit. Objekti do të ketë dy hyrje me shkallë dhe një ashensor. Ka nisur gjithashtu montimi i sistemit të ventilimit, sistemit të mbrojtjes nga zjarri dhe sistemit të ndriçimit. Llubani tha se parkimi parashikohet të hapet në mesin e dhjetorit.
Sheshi “Avni Rustemi” lidh zonën e Pazarit të Ri me Unazën e Brendshme të Tiranës përmes rrugëve “Hoxha Tahsim” dhe “Tefta Tashko-Koço”. Projekti synon të përmirësojë aksesueshmërinë, të ulë presionin e automjeteve të parkuara në rrugët përreth dhe t’u japë më shumë hapësirë këmbësorëve.
Ndërhyrja përfshin edhe rehabilitimin e fasadave përgjatë rrugës “Luigj Gurakuqi”. Sipas përshkrimit të projektit, kjo pjesë synon të përmirësojë pamjen e zonës dhe të krijojë një mjedis më tërheqës për banorët, bizneset dhe turistët.