Bashkimi i operatorëve Valona Konstruksion është shpallur fitues i procedurës së prokurimit për ndërtimin e godinës së parkimit nëntokësor në pjesën perëndimore të qytetit të Vlorës. Ky projekt është pjesë e ndërtimit të nyjeve multimodale të mobilitetit për rajonin 3 dhe 4.
Oferta fituese prej 512.5 milionë lekësh është 13.9% më e ulët se fondi limit i vënë në dispozicion nga autoriteti kontraktor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ishte caktuar në vlerën 595 milionë lekë.
Sipas dokumentacionit teknik, objekti do të ndërtohet mbi një sipërfaqe prej 9,557.76 metrash katrorë. Struktura do të përbëhet nga dy kate nëntokësore, ku kati -1 do të zërë një sipërfaqe prej 9,235.98 metrash katrorë dhe do të shërbejë për parkim dhe ambiente teknike.
Kapaciteti total i objektit do të jetë 295 poste parkimi, nga të cilat:
• 5 vende janë të rezervuara për personat me aftësi të kufizuara;
• 6 vende janë të dedikuara për automjetet elektrike.
Sipërfaqja mbi strukturën nëntokësore do të shndërrohet në një park rekreativ dhe hapësirë publike për qytetarët, e cila do të shtrohet me rifinitura që përputhen me infrastrukturën ekzistuese të zonës. Ky investim synon përmirësimin e menaxhimit të trafikut dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në qytetin bregdetar.