Ngjarja ka ndodhur pasditen e datës 24 korrik 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Shkallnur të Durrësit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, shtetasi Edison Gjuzi, 36 vjeç, është goditur me qytën e një pistolete gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë identifikuar si Denis Tafili, 41 vjeç, i shpallur më parë në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), dhe shtetasi G. M., 27 vjeç. Pas incidentit, të dy të dyshuarit janë larguar nga vendngjarja me automjet. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë pistolete, pasi dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër.
Në këtë ngjarje është implikuar edhe një punonjës policie, inspektori L. Xh., i cili ka qenë jashtë shërbimit. Aktualisht, ai është shoqëruar nga autoritetet dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Burime raportojnë se Tafili ka qenë pjesë e grupit të të ashtuquajturit "Visit të Pojës" dhe është hetuar nga SPAK për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, hetim ky që u mbyll në muajin maj të këtij viti.
Forca të shumta të policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, vijon dokumentimin e rrethanave të plota të ngjarjes.
Përditësime
Hetimet për përplasjen me armë në Shkallnur kanë zbardhur detaje të reja. Autoritetet po verifikojnë nëse plumbat janë shkrepur nga i shpalluri në kërkim Denis Tafili apo nga punonjësi i policisë, pas një konflikti paraprak të këtij të fundit me shtetasin Edison Gjuzi. Policia bëri me dije se Denis Tafili, kushëri i Elvis Docit (i njohur si Visi i Pojës), është i përfshirë edhe në dosjen hetimore të organizatës kriminale 'Troplini'.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka sekuestruar armën e shërbimit të punonjësit të policisë Leonard Xhamollari, me detyrë ndihmës-specialist në sallën e komandimit të DVP Durrës. Masa vjen në kuadër të hetimeve pas konfliktit me armë në Shkallnur, ku është shpallur në kërkim Denis Tafili. Ndërsa dëshmitari Edison Gjuzi pretendon se i ka parë të dy në shoqërinë e njëri-tjetrit, punonjësi i policisë ka mohuar çdo lidhje me të kërkuarin. Çështja është pjesë e zhvillimeve pas operacionit 'Ura', i cili goditi grupin kriminal të Elvis Doçit.