Një konflikt fizik mes fqinjëve ka ndodhur pasditen e së mërkurës në Tropojë, duke rezultuar në lëndimin e rëndë të shtetasit Man Neza, 60 vjeç. Pas përplasjes, ai është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore në spitalin e Kukësit.
Për shkak të plagëve të marra në pjesën e kokës dhe gjendjes së rënduar shëndetësore, 60-vjeçari është dërguar më pas në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar.
Familjarët e të dëmtuarit kanë deklaruar se konflikti mes palëve nuk është i izoluar, pasi ka pasur përplasje të vazhdueshme edhe më herët. Sipas tyre, situata është përshkallëzuar këtë herë në dhunë fizike.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Policia po punon për të identifikuar personat e përfshirë në konflikt dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Përditësime
I dëmtuari, Man Neza, ka akuzuar Policinë e Tropojës për neglizhencë, duke pretenduar se vonesa në reagim ndaj konfliktit fqinjësor çoi në përshkallëzimin e dhunës.