Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar gjatë fjalës së tij në Kuvend projektet e qeverisë për zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në institucione. Diskutimi u zhvillua në kuadër të projektligjit për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale.
Korreshi u shpreh se planifikimet qeveritare për digjitalizim nuk përkojnë me realitetin në zonat rurale. Sipas tij, në këto zona mungojnë shërbimet bazë, duke përmendur rastin e qendrave shëndetësore ku shpesh mungon energjia elektrike dhe pajisjet minimale. “Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te inteligjenca artificiale. Si do hyjë infermierja apo doktoresha në sistem nëse nuk ka as energji elektrike?”, deklaroi deputeti.
Deputeti demokrat vuri në dyshim efikasitetin e sistemeve teknologjike të mbështetura nga qeveria, duke përmendur vështirësitë e raportuara më parë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), e cila sipas tij nuk funksionoi për tre muaj. Ai përmendi gjithashtu projektet për instalimin e kamerave në shkolla dhe nismën “Smart City”, duke i konsideruar ato të papërshtatshme për kushtet aktuale të infrastrukturës rrugore.
Së fundi, Korreshi ngriti shqetësimin lidhur me mbledhjen e të dhënave personale, duke akuzuar se strukturat e qeverisë, përmes figurës së patronazhistëve, disponojnë informacione të hollësishme për qytetarët. Ai u shpreh kundër përfshirjes së të dhënave të fëmijëve në sistemet e tilla të digjitalizuara.