Policia e Kosovës njoftoi se më 13 dhe 14 tetor 2026 u ekstraduan në Kosovë dy shtetas kosovarë të kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar, të lëshuar me kërkesë të institucioneve të drejtësisë së Kosovës. Njëra u ekstradua nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Zvicra.
Më 13 tetor, autoritetet gjermane ekstraduan një shtetase kosovare, e cila kërkohej për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Pas mbërritjes në Kosovë, ajo iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Pejës për vijimin e procedurave ligjore.
Më 14 tetor, nga Zvicra u ekstradua një shtetas kosovar i kërkuar për grabitje. Ai iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Gjilanit për vazhdimin e procedurave ligjore.
Sipas njoftimit policor, të dy personat ishin arrestuar nga autoritetet e vendeve përkatëse, pasi kërkoheshin përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar. Ekstradimet u realizuan nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse të Policisë dhe institucionet e drejtësisë, si dhe në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe zvicerane.