Policia e Kosovës realizoi më 4 nëntor 2026 dy ekstradime ndërkombëtare: një person u dërgua nga Kosova në Gjermani, ndërsa një tjetër u ekstradua nga Italia në Kosovë. Të dy personat kërkoheshin ndërkombëtarisht përmes INTERPOL-it, sipas njoftimit të policisë.
Shtetasi gjerman me inicialet D.J. u ekstradua nga Kosova në Gjermani, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet gjermane të drejtësisë për trafikim me narkotikë.
Në rastin tjetër, shtetasi i Kosovës me inicialet B.B. u ekstradua nga Italia në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprat penale të fajdesë dhe detyrimit.
Ekstradimet u realizuan nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësi të tjera përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë. Sipas njoftimit, ato u mundësuan nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere.