Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare të reja më 7 qershor, më së largu. Në ditën kur u bënë katër muaj nga zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit, u konfirmua kriza politike. Ky proces u bë i pashmangshëm më 28 prill, kur deputetët dështuan të zgjedhin presidentin, duke aktivizuar afatin kushtetues për zgjedhje brenda 45 ditësh.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave parlamentare. Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, deklaroi në seancën e fundit të legjislaturës së dhjetë: "Kosova, për të pasur president të ri, duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mund të sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e ka të vjetër, andaj edhe është në rënie të lirë".
Partitë kryesore opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, e mirëpritën shkuarjen në zgjedhje. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook: "Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë". Opozita fajësoi pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe përpjekje për përqendrim të pushtetit, pavarësisht shumicës së LVV-së prej 51%.
Kriza e përsëritur
Kjo nuk është hera e parë. Një skenar i ngjashëm ndodhi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi mbeti i pakonstituuar për muaj të tërë.
Rreziku i skenarit bullgar
Analisti Ilir Deda vlerëson se kriza tregon papjekuri të politikëbërësve ndaj shtetit dhe zhvillimeve botërore. Kjo ngre shqetësime për një cikël zgjedhjesh të përsëritura si në Bullgari, që ngadalëson reformat dhe rrit kostot buxhetore pa garanci për stabilitet.