Disa kategori të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat e aplikimit për pasaportë dhe letërnjoftim, bazuar në një vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), i cili ka hyrë në fuqi më 14 tetor 2026. Për lehtësimin kanë njoftuar disa përfaqësi diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
Njoftime janë publikuar nga Ambasada e Kosovës në Itali dhe përfaqësia në Slloveni, si dhe nga Konsullata e Përgjithshme në Cyrih të Zvicrës dhe ajo në Stamboll të Turqisë. Sipas njoftimit të Ambasadës në Itali, lirimi vlen për procedurën e rregullt të aplikimit për të dy dokumentet.
Nga lehtësimi përfitojnë:
- invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK);
- familjarët e ngushtë të dëshmorëve dhe të personave të zhdukur të UÇK-së;
- viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës;
- personat me aftësi të kufizuara, të kategorizuar sipas legjislacionit në fuqi;
- personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Qytetarët që bëjnë pjesë në këto kategori mund të drejtohen te përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës për t’u informuar për dokumentacionin e nevojshëm dhe mënyrën e përfitimit nga lehtësimi.