Në Kosovë nuk ka konfirmim për raste të infektimit me variantin e ri të COVID-19, të njohur si Stratus, i cili po qarkullon në Mbretërinë e Bashkuar. Drejtoresha e Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Vera Ndrejaj, tha për Radio Dukagjinin se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) nuk ka konfirmuar raste me këtë variant.
Ndrejaj paralajmëroi se lëvizjet dhe migrimi i popullsisë mund të favorizojnë përhapjen e sëmundjeve infektive. Sipas saj, kjo rrezikon jo vetëm përhapjen e COVID-19, por edhe të sëmundjeve të tjera infektive.
Infektologu Shemsedin Dreshaj tha se asnjë vend nuk mund të përjashtohet nga rreziku i përhapjes së variantit. Ai vlerësoi se globalizimi krijon mundësi për përhapjen ndërkombëtare të infeksioneve, por të dhënat e njohura deri tani nuk tregojnë se Stratusi është më i rrezikshëm se variantet e mëparshme të COVID-19.
Dreshaj shtoi se imunizimi përmes vaksinave dhe kontakti i drejtpërdrejtë me virusin kanë ndikuar që shfaqjet klinike të nënvarianteve të COVID-19 të jenë më të buta se ato të variantit fillestar.
Sipas Zërit dhe Telegrafit, simptomat e infeksionit me Stratus mund të ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme ose të gripit.