Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njoftoi se gjatë periudhës nga 16 prilli deri më 13 shtator 2026, në territorin e Kosovës janë konfirmuar gjithsej 164 raste me fruth. Prej tyre, 6 raste të reja janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 95% e personave të prekur nuk janë të imunizuar me vaksinën MMR. Instituti theksoi se vaksinimi mbetet masa më efikase për parandalimin e përhapjes së këtij virusi në komunitet.
Krahas kalendarit të rregullt, IKShPK ka intensifikuar programin e vaksinimit të vonuar, të njohur si "catch-up", që u mundëson fëmijëve të kthehen në procesin e imunizimit. Deri më tani gjatë këtij viti, 2,794 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç janë vaksinuar përmes këtij programi.
IKShPK ka vlerësuar angazhimin e prindërve dhe të stafit shëndetësor në rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim. Në njoftimin zyrtar, institucioni deklaroi se çdo fëmijë i vaksinuar përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërprerjes së përhapjes së sëmundjes.