Ante Kotromanoviq, ish-ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, në një intervistë për N1, ka komentuar armatosjen e Serbisë dhe rreziqet për sigurinë rajonale. Ai tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do ta kishte sulmuar Kosovën, po të kishte fituar Rusia ndaj Ukrainës brenda një muaji.
Kotromanoviq kujtoi marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit ushtarako-teknik midis Kroacisë dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2009. Kjo marrëveshje përfshiu ndihmë kroate gjatë përmbytjeve në Serbi, si dhe rreth 10-15 stërvitje ushtarake të përbashkëta.
Sipas tij, veprimet e Vuçiqit për armatosje shërbejnë si instrument i brendshëm për të forcuar pozicionin e tij dhe të partisë së tij, duke kontrolluar segmentet e nevojshme për të qëndruar në pushtet. Ai theksoi obsesionin e Beogradit me Kosovën, të cilën Serbia nuk e ka kapërcyer.
"Besoj se Vuçiq me forcat e tij dhe me disa rusë do të zbriste deri në Kosovë, po të kishte fituar Rusia ndaj Ukrainës brenda një muaji. Kush do ta kishte ndalur atëherë?", u shpreh ai.
Kotromanoviq dalloi armatosjen e Kroacisë nga ajo e Serbisë. Kroacia, si anëtare e NATO-s, ka detyrime që nuk përbëjnë kërcënim për fqinjët. Ai mohoi çdo mundësi që forcat kroate të përdoren për sulm ndaj Serbisë, duke e quajtur një gjë të tillë marrëzi të pastër.