Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar lidhur me pretendimet për parregullsi në procesin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet e 7 qershorit. Reagimi erdhi pas publikimit në media të disa fotografive, ku shihej një letër me shënime mbi numrin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila dyshohej se ishte vendosur në hyrje të Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York.
Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, pas komunikimit me misionin diplomatik, është vërtetuar se fotografia nuk paraqet hyrjen e konsullatës. Letra në fjalë ka qenë e vendosur në derën e zyrës së një organizate tjetër, e cila ndodhet në katin e 3-të të objektit, aty ku ushtron aktivitetin edhe misioni diplomatik.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se në murin pranë derës ku ishte vendosur njoftimi, ekziston një shigjetë drejtuese që tregon se Konsullata e Kosovës ndodhet në drejtimin e kundërt. KQZ-ja bëri të ditur se mbetet në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha përfaqësitë diplomatike, për të garantuar që procesi i votimit të zhvillohet në përputhje me ligjet dhe procedurat në fuqi.