Pas qarkullimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqen dy persona me një kuti votimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar për të sqaruar rrethanat e rastit. Përmes një komunikate zyrtare, institucioni ka theksuar se pamjet nuk përbëjnë ndonjë parregullsi zgjedhore.
Sipas KQZ-së, ngjarja ka ndodhur në perimetrin ku është vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec. Materiali i evidentuar në kuti është material zgjedhor jo-sensitiv, i cili, sipas procedurave të parapara, shpërndahet një ditë para ditës së zgjedhjeve.
Për të garantuar transparencë dhe për të vërtetuar rrethanat faktike të ngjarjes, KQZ ka bërë të ditur se disponon prova materiale, si:
• Pamjet nga kamerat e sigurisë të vendosura në pjesën e jashtme të palestrës sportive;
• Pamjet e kamerave të qytetit;
• Raportimet nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.
Institucioni ka publikuar gjithashtu fotografi të lokacionit, nga të cilat shihet qartë se veprimi është zhvilluar në hapësirën e parkingut të palestrës ku ndodhet Qendra Komunale e Numërimit.